Në shtator morra pjesë në Takimin e Wikimedianëve të Evropës Qendrore dhe Lindore (si dhe Azisë Qendrore) në Tbilisi, Gjeorgji. Vizita e parë e ime në Kaukaz.
Kaukazin e Jugut Gjeorgjia e ndanë me Armeninë e Azerbajxhanin me të cilat ka histori por jo luftë. Gjeorgjia poashtu ka histori të okupimit dhe fqinjësi me Iranin. 200 vjetët e fundit deri në shkatërrimin e Bllokut Sovjetik kanë qenë nën Rusinë.
Vendi ka një histori së paku 2 mijë vjeçare, e vendosur në udhëkryqet e civilizimeve: iranian (pers), bizantin, otoman, rus, arab etj. mes Detit të Zi dhe rrymave të Detit Kaspik. Gjeorgjia ka 4.5 milionë banorë, ndërsa Tbilisi 1.2 milion banorë.
Në krahasim me Prishtinën, Tbilisi është më i pastër, me transport që qarkullon pa pengesa sepse kalimet janë vendosur nën nivel e disa funksione si pagesat elektronike të realizuara çdokund. Tbilisi funksionon. Poashtu ka numër të madh të muzeve për kokë banori. Gjeorgjia ka alfabetin e saj unik, me traditë të krishterimit tash ortodoks që nga shek. IV e shumë kisha e manastire antike disa nga të cilat i vizituam.
Befasia më e këndshme ishte klima: verore diçka si në Tiranë, me banesa që me cilësinë e dobët prej komunizmit ia shtojshin ndjesinë. Disa prej zonave të vjetra ishin ruajtur dhe lumi përshkon qytetin për së gjati rreth 30 km. Armenët kanë lënë shenjat e tyre në qytet.
Takimi ishte për Wikimedia, dhe në këtë aspekt mësova shumë dhe u pash me miq të vjetër e të rinj. Veçanërisht interesant ishte situata me Wikipedian në rusisht e cila si gjuhë e perandorisë, në fillim ruse e pastaj asaj sovjetike, ka mbledhur etnitë tjera për të kontribuar në të. Argumenti i prezantueses së temës ishte që kontribuuesit në rusisht vijnë nga vende të ndryshme dhe nga rus nga diaspora dhe pikëpamjet në fund balancohen. E pranonte që ka skepticizëm. Ukrainasit veçanërisht po bëjnë punë të madhe përkundër luftës, për t’u pavarësuar nga Wikipedia në rusisht.
Gjeorgjia ka mbi 500 varietete rrushi dhe prodhimi i verës është traditë familjare. Mikpritja gjeorgjiane ishte për t’u lavdëruar, me ushqime fantastike nacionale e më të mirën që e kam ngrënë ndonjëherë në hotel, por do të ishte e pamundur të shkoja me pasaportën kosovare po të mos e kisha edhe atë shqiptare.
Gjeorgjia nuk e njeh Kosovën dhe së fundi ndër shtetet e pakta paska votuar kundër fillimit të procesit të vlerësimin për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës. Ndjenjat anti-ruse dhe anti-ndarjes ishin ende të forta, pas praktikisht pushtimit rus të dy territoreve gjeorgjiane Osetia e Jugut dhe Abkazia, me forcat ruse vetëm 60 km larg në vijë ajrore nga kryeqyteti. Në të njëjtën kohë, ndjenjat pro-NATO dhe BE të shprehura përmes grafiteve ishin të forta. Prezenca e programeve të BE-së dhe prania e butë amerikane vërehej kudo. Policët kufitar e kanë zymtësinë e zakonshme lindore dhe më bën t’i vlerësoj edhe më tepër sjelljet e mira të policëve kufitar në Aeroportin e Prishtinë.
Shumë ukrainas (dhe rus) kanë migruar në Gjeorgji. Një nga këta edhe shoqja ukrainase e masterit të cilën nuk e kisha takuar që nga viti 2011. Ajo është zhvendosur bashkë me burrin e saj i cili punon programer nga distanca ndërsa ajo si juriste e aviacionit nuk ka mundësi të punoj. Grafitet pro-Ukrainës janë kudo dhe duket që mikpritja për ta është shumë e mirë, megjithatë dëgjova edhe që qiratë në qytet janë bërë të papërballueshme për vendasit. Çuditërisht, kryeministrja është pro-ruse ndërsa kryetari pro-perëndimor. Si funksionon kjo nuk e di. Gjuha default në Facebook dilte rusishtja. Në aeroport ishte interesant të shihje një aeroplan ushtarak të Royal Air Force e një komercial të Iranit pranë njëri tjetrit.
Në fund të konferencës e ofruam Prizrenin si mikpritës të radhës të takimit Wikimedia CEE, në garë me Stambollin. Me ekip dhe përvojë në organizim besoj qëndrojmë më mirë, por nuk mund të nënvlerësohet Stambolli dhe paragjykimet politike ndaj Kosovës. Besoj do të jetë mjaft interesant për komitetin për ta vendosur.

















orous.